Kodi i ri Zgjedhor, Varhelyi: Në rast se parandalohen koalicionet pas zgjedhjeve, them se duhen menduar më mirë gjërat

oliver varhelyi 1 1 1100x620

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi në konferencë për shtyp se çështjen e Kodit të ri Zgjedhor do ta shikojë vetë nga afër.

“Më është thënë që është çështje madhore dhe do ta shikoj vetë, por mbaj mend që në 5 qershor u arrit një marrëveshje e mirë mes palëve. Përparësia është që opozita të jetë në Parlament dhe që të bihet dakord për Reformën Zgjedhore. Për koalicionet, unë mendoj se për aq kohë sa ligji nuk e pengon krijimin e tyre pas zgjedhjeve, ne mund të gjejmë një zgjidhje të favorshme. Në rast se parandalohen koalicionet pas zgjedhjeve, them se duhen menduar më mirë gjërat”, tha Varhelyi.

Varhelyi foli edhe për Gjykatën Kushtetuese: “Që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, duhet që Gjykata Kushtetuese të jetë plotësisht funksionale”.

Më parë, komisioneri ishte shprehur se “Shqipëria ka ndjekur rrugën e reformave dhe autoritetet shqiptare vazhdojnë të tregojnë se janë të përkushtuara në realizimin e tyre”.

“Është shënuar një progres i jashtëzakonshëm me Reformën elektorale me marrëveshjen e nënshkruar me 5 qershor dhe implementimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR. Po vazhdohet me implementimin e reformës në Drejtësi, po ashtu po vazhdon edhe lufta kundër krimit të organizuar. Janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit”, tha Varhelyi.

Por, për komisionerin Varhelyi, Shqipëria gjithashtu duhet të vazhdojë me reformat e saj edhe në periudhën parazgjedhore, ndërsa shton se do ta shohë vetë punën në terren.