Maduro fiton gjyqin me Bankën e Anglisë për depozitën e arit 900 milionë euro

Untitled collage 19 1100x620

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka arritur të fitojë një betejë ligjore me Bankën e Anglisë e cila e pengonte atë të kishte akses në depozitën e floririt me vlerë rreth 900 milionë euro.

Drejtuesi autoritar, i cili shpesh herë është akuzuar dhe për shkelje të të drejtave të njeriut, arriti të fitojë Apelin lidhur me këtë çështje.

Maduro donte t’i shiste këto asete, por zyrtarët e bankës e penguan nën argumentin se qeveria e tij nuk njihet nga Mbretëria e Bashkuar.

57-vjeçari, i cili u rizgjodh në postin e presidentit në vitin 2018, në një proces zgjedhor që u bojkotua nga partitë opozitare, deklaroi se donte ta përdorte këtë llogari për të luftuar koronavirusin.

Por lideri i opozitës, Juan Guaido, i njohur nga Britania si lideri i Venezuelës e akuzon Maduron se po përpiqet të vjedhë arin.

Me vendimin e djeshëm, Gjykata e Apelit, në Uells, rrëzoi vendimin e shkallës së parë, sipas së cilit, Banka e Anglisë nuk mund t’ia dorëzonte arin Maduros për sa kohë Guaido njihet nga Britania si lider i Venezuelës.