Pandemia, Skocia hyn sërish në karantinë për dy javë, Berlini mbyll jetën e natës

6 oct daily 1100x620

Shifrat e pandemisë në Europë po rriten sërish në mënyrë shqetësuese, edhe në vendet që deri më tani e kishin kontrolluar gjatë verës.

Nga e premtja, Skocia do të mbyllet në karantinë për 2 javë, me popullsinë që duhet të rrijë në shtëpi dhe me aktivitete si ajo e parukerive dhe salloneve të bukurisë që do të mbyllen sërish.

Ndërkohë, kryeqyteti gjerman, Berlini, ka vendosur të mbyllë jetën e natës që e ka bërë të njohur në të gjithë Europën. Restorantet dhe lokalet do të mbyllin para orës 23. Ndërkohë, nuk do të lejohen më grumbullimet me më shumë se 5 persona gjatë natës dhe 10 persona në ambientet private.

Faktori R që tregon nivelin e përhapjes së virusit në Gjermani ka kaluar normat dhe është tashmë 1.23, ndërkohë që duhet të jetë nën shifrën 1.  

Afër Gjermanisë, një tjetër vend tregon shifra alarmante. Është Polonia, e cila regjistron 2200 raste në 24 orët e fundit, shifra e dytë më e rëndë nga fillimi i pandemisë, ndërkohë që 58 viktimat e sotme përbëjnë një rekord tragjik.