Princesha ilegjitime e Belgjikës, nuk pret asgjë nga familja mbretërore

1 23 600x338

Skulptorja që fitoi betejën ligjore, ku provonte se ish-mbreti i Belgjikës, Albert III, është babai i saj biologjik, tha të hënën se nuk pret asgjë nga familja e saj e re.

“Unë ende do të jem Delphine, nuk do të dal rrugëve dhe të pres të më thërrasin princeshë”, u tha ajo gazetarëve gjatë konferencës së saj të parë për shtyp në Bruksel.

Delphine tha se ndihej në paqe dhe ishte e lehtësuar që historia e saj e jetës u bë publike.

52-vjeçarja shtoi se babai, vëllezërit dhe motrat e saj, përfshirë mbretin Filip, refuzuan të komunikonin me të dhe sipas saj, kjo ishte pjesa më e vështirë për t’u kuptuar për të dhe dy fëmijët e saj, tha ajo.

“Unë nuk pres asgjë, thjesht do të vazhdoj me punën time,” tha Delphine.

“Megjithatë nëse papritmas ata do të tregonin sinjale që duan të më kenë në jetën e tyre, unë kurrë nuk do t’ua ktheja kurrizin.”

Para se të shpërthente në lot, skulptorja tha se njerëzit në situata të ngjashme nuk duhet të ndihen të turpëruar dhe i inkurajoi ata të gjejnë identitetin e tyre.

Delphine ka fituar një betejë gjyqësore me ish-mbretin Albert III, që nuk e njihte atë si të bijën e lindur nga një lidhje jashtëmartesore në vitin 1968, ndërkohë që ishte e martuar me Paola Ruffo di Calabria.

Alberti 86-vjeçar ka mohuar me vite atësinë, por pas pothuajse dy dekadash zhurme mediatike, Gjykata belge e shtrëngoi në vitin 2018 të bënte testin e ADN-së, ku shkelja e vendimit do t’i kushtonte 5 mijë euro në ditë.

Rezultatet i dhanë të drejtë Delphine Boël, dhe tashmë edhe fëmijët e saj mund të mbajnë titullin “princ të belgëve”.

Deri tani, oborri mbretëror nuk ka komentuar mbi vendimin, por më herët ish-mbreti kishte thënë se ai nuk do të kundërshtonte vendimet e gjykatës.