Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Rama: Nuk e kam lexuar progres-raportin, nesër do ta diskutoj me komisionerin Varhelyi

Nga A2 CNN
6 Tetor 2020, 18:54 | Politikë
Rama: Nuk e kam lexuar progres-raportin, nesër do ta diskutoj me

Kryeministri Rama deklaroi se nuk e ka lexuar progres-raportin për Shqipërinë të  prezantuar sot nga Komisioni Evropian. I pyetur nga mediat pas takimit me shtabin elektoral në selinë rozë, kreu i qeverisë tha se këtë do ta diskutojë gjatë nesër me komisionerin Varhelyi, teksa shtoi se progres-raporti është krejt e kundërta nga ajo që trumbeton opozita.

“Nuk e kam lexuar progres-raportin. Nesër pres komisionerin dhe do ta diskutoj gjatë me të. Progres-raporti është pasqyrë krejt e ndryshme nga ajo që përpiqen t’u vënë çdo ditë shqiptarëve, ata që kanë hesapet e luftës për pushtet në radhët e opozitës. Më vjen mirë që edhe deklarata e BE-së për reformën zgjedhore ishte e kundërta nga ajo që u tha dhe predikua duke paralajmëruar re të zeza mbi Shqipërinë dhe duke hedhur helm dhe tym për çoroditje për të shkuar pas atyre që duan t’i çojnë njerëzit në rrugët e tyre qorre në përpjekje të dëshpëruar për pushtet”.

I pyetur nga gazetarët, kryeministri rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e tij se do të votojë në Kuvend paketën antishpifje, sapo të ketë përfunduar reflektimi në të i rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

 “Antishpifja do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë sapo të jetë përfunduar reflektimi në të i Komisionit të Vendecias”.

Ndërsa lidhur me mbledhjen e sotme në PS, Rama informoi se pas pak ditësh do të dalë edhe kërkesa për vlerësimin e ministrave edhe përtej anëtarësisë.

“Pas pak ditësh do të dalë edhe kërkesa për vlerësim për ministrat që do të jetë edhe përtej anëtarësisë. Çdokush që është i interesuar mund të hyjë për të bërë një vlerësim dhe po përgatisim dhe hapin e tretë që është ftesa për të konsideruar shprehje interesi për të përfaqësuar komunitetin në parlament”.

Sa i takon raporteve mbi punën e drejtuesve të institucioneve publike, Rama tha se kjo është një çështje e brendshme e partisë dhe një proces në vazhdim.

“Është çështje e diskutimit të brendshëm për të vlerësuar me sytë e opinionit publik marrëdhëniet e institucioneve vendore me qytetarët. Është një proces që vazhdon”, tha Rama, ndërsa shmangu sqarimet për kandidaturat e kryesisë së re.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli