Raporti i GRECO, kërkohet funksionimi i plotë i Gjykatës së Lartë

Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit, i njohur nën siglën GRECO, nxit autoritetet shqiptare të gjejnë sa më parë një zgjidhje, për të bërë plotësisht funksionale gjykatën e lartë, e cila numëron aktualisht vetëm 3 nga 5 gjyqtarë të nevojshëm për të shqyrtuar çështjet.

Ky organ i Strasburgut, në raportin e radhës mbi “Parandalimin e korrupsionit në lidhje me deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, ngre shqetësimin se janë emëruar vetëm 1/5 e anëtarëve të Gjykatës së Lartë) nga 19 gjyqtarë që pritet të ketë kjo trupe gjyqësore dhe kërkon plotësimin edhe funksionimin e saj tërësisht të pavarur.

“Numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë mbetet i lartë, megjithëse kohët e fundit janë bërë plane dhe janë marrë masa specifike për ta ulur atë. GRECO nxit autoritetet shqiptare të gjejnë zgjidhje të përshtatshme në mënyrë që Gjykata e Lartë të mund të funksionojë në përputhje me kuadrin ekzistues kushtetues dhe legjislativ. Është thelbësore që një Gjykatë e Lartë e depolitizuar dhe e pavarur të funksionojë plotësisht dhe me efikasitet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Nga raporti i GRECO

GRECO vlerëson procesin e vetting-ut për gjyqtarët dhe prokurorët, por sugjeron procese vlerësimi të ndara.

“Autoritetet shqiptare vlerësojnë se rezultatet e këtij procesi duhet të merren parasysh për përcaktimin e statusit individual dhe karrierës së gjyqtarëve, së bashku me vlerësimin profesional të tyre. Ky mund të jetë një proces mjaft i gjatë. Nga ana e tij GRECO konsideron se vlerësimi i aftësive profesionale dhe vlerësimi i integritetit duhet të jenë dy procese të ndara”.

Nga raporti i GRECO

GRECO mirëpret zhvillimet e reja që rezultojnë nga zbatimi i reformës në drejtësi, duke përfshirë funksionimin efektiv të KLGJ-së KLP dhe inkurajon autoritetet shqiptare për të siguruar zbatimin efektiv të procesit të reformës në drejtësi në mënyrë që të forcojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit brenda sistemit.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 4 viktima në 24 orët e fundit, 458 në total
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 301 raste në 24 orët e fundit, 17651 në total
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 58 të shëruar në 24 orët e fundit, 10225 në total