Trump: Koronavirusi më pak vdekjeprurës se gripi

071120 trump 1100x620

Duke minimizuar kërcënimin e virusit me të cilin po lufton aktualisht, presidenti Trump e krahasoi, sërish, Covid-19 me gripin.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se mijëra njerëz humbin jetën çdo vit nga gripi dhe theksoi se në shumicën e popullatave ai është shumë më vdekjeprurës se koronavirusi.

“Sezoni i gripit po afrohet! Shumë njerëz, ndonjëherë mbi 100,000 në vit, pavarësisht vaksinës, vdesin nga Gripi. A do ta mbyllim vendin tonë? Jo, ne kemi mësuar të jetojmë me të, ashtu si po mësojmë të jetojmë me Covid, në shumicën e popullatave shumë më pak vdekjeprurës”, shkroi Trump në Twitter.

Trump kaloi tri net në spitalin ushtarak amerikan “Walter Reed” pasi doli pozitiv për koronavirus.

Ai deklaroi se shumë shpejt do të kthehet në fushatën elektorale, megjithatë, mjekët që ndoqën mjekimin e tij bënë me dije se presidenti nuk është ende jashtë rrezikut, por mund të kthehet në shtëpi.