Uzuni dhe Kumbulla: Vetëm për fitore ndaj Kazakistanit

uzunii 1100x620

Myrto Uzuni dhe Marash Kumbulla janë dy lojtarë të rinj, të cilët pritet të jenë e ardhmja e Kombëtares shqiptare, por gjithashtu edhe e tashmja e saj, sidomos me mungesat e shumta që kanë kuqezinjtë në dy ndeshjet e radhës së Ligës së Kombeve, ndaj Kazakistanit dhe më pas ndaj Lituanisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp këtë të martë, dy lojtarët u shprehën se Shqipëria do të udhëtojë në Kazakistan vetëm për fitore. “Shqipëria luan për fitore në çdo ndeshje dhe një gjë të tillë do ta kërkojë edhe në ndeshjen e radhës”, u shpreh Kumbulla, i cili u transferua te Roma në këtë merkato.

Ndërkohë, Uzuni, i cili ka realizuar paraqitje mjaft të mira me Ferencvarosin në Champions League, atje ku do të ndeshet edhe me Barcelonën dhe Juventusin, u shpreh se tashmë është i përqendruar vetëm te Kombëtarja për të dhënë maksimumin në dy sfidat e radhës.

“Kam shënuar dy gola shumë me vlerë për ekipin, ndërsa tashmë është koha për kombëtaren, për të dhënë maksimumin këtu. Kur vjen në kombëtare ndjesia është shumë më e madhe. Golat më kanë dhënë më shumë motiv dhe më shumë shtysë për të vazhduar përpara”, u shpreh Uzuni.