Vaksina kundër Covid-19/ Fauci: Në fund të vitit e mësojmë nëse është efikase

Të gjitha shpresat për t’i dhënë fund pandemisë koronavirus mbeten te vaksina.

Virologu i njohur amerikan thotë se në fund të vitit do të mësohet nëse është gjetur një e tillë, që të jetë efikase dhe e sigurt.

 “Mund të kemi një rezultat kur të jemi në nëntor, dhjetor, ndoshta më herët, por nuk mendoj kështu, megjithatë është e mundur. Mendoj se nga nëntori apo dhjetori do të mësojmë nëse një vaksinë është apo jo e sigurt dhe efikase.

Jam optimist nga ajo çfarë kam parë në të dhënat paraprake në fazën e parë dhe ka një shans shumë të mirë që ne mund të kemi një vaksinë efikase dhe të sigurt.”, u shpreh Anthony Fauci, drejtor i Institutit të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.

Pavarësisht deklaratës optimiste të virologut të njohur, amerikanët shprehen skeptikë lidhur me vaksinimin kundër Covid-19. Një sondazh i CNN tregon se mbi 50% do të pranojnë injektimin e saj, nëse do të ishte me çmim të ulët.

Trendi është në rënie të fortë, pasi disa javë më parë ky nivel ishte 66%. Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se nëse shumica e popullatës nuk vaksinohet, Shtetet e Bashkuara mund të mos arrijnë imunitetin e masës kundër koronavirusit të ri.

Ndërkohë, Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Amerikë konfirmoi se Covid-19 përhapet edhe përmes ajrit. Gjithashtu, thekson se qëndrimi në kontakt të ngushtë për një kohë të gjatë, veçanërisht pa maska, rrit shanset për përhapjen e infeksionit. Ndër të tjera, liston këndimin dhe ushtrimet fizike, që kërkojnë frymëmarrje të shpeshtë, si aktivitete që shtojnë shanset për transmetimin e Covid-19.