Varhelyi u përgjigjet eurodeputetëve: Shqipëria pranë plotësimit të kushteve për Konferencën e parë ndërqeveritare

“Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe është shumë afër plotësimit të të gjitha kushteve për arritjen e realizimit e të qenit pjesë në Konferencën e parë ndërqeveritare”. Kështu është shprehur komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, në përgjigje të eurodeputetëve.

Sipas tij, Shqipëria ka ndjekur rrugën e reformave dhe autoritetet shqiptare po tregojnë se janë të përkushtuara në realizimin e tyre, sa i takon vendosjes së rendit dhe sundimit të ligjit.

“Shqipëria ka ndjekur rrugën e reformave dhe autoritetet shqiptare vazhdojnë të tregojnë se janë të përkushtuara në realizimin e tyre. Është shënuar një progres i jashtëzakonshëm me Reformën elektorale me marrëveshjen e nënshkruar me “5 qershor” dhe implementimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR. Po vazhdohet me implementimin e reformës në Drejtësi, po ashtu po vazhdon edhe lufta kundër krimit të organizuar. Janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit”.

Por për komisionerin, Varhelyi, Shqipëria gjithashtu duhet të vazhdojë me reformat e saj edhe në periudhën parazgjedhore, ndërsa shton se do ta shohë vetë punën në terren.  “Unë do të shkoj ta shikoj vetë punën në terren. Kemi punuar për arritjen e një marrëveshjeje dhe shpresoj që t’i përmbahen 5 qershorit”.