Vlerësimet e KE: Shqipëria afër plotësimit të kushteve, por Kodi kaloi pa konsensus

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim deciziv dhe është shumë pranë arritjes së plotësimit të kushteve të Këshillit për tryezën e parë ndërqeveritare. Në raportin prej 123 faqesh, Brukseli zyrtar vlerëson se Shqipëria ka përparuar në objektivat e vendimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave.

Raporti thotë se polarizimi intensiv politik u lehtësua në janar 2020, kur shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare dhe ekstra-parlamentare ranë dakord të çonin përpara Reformën Zgjedhore dhe dakordësuan marrëveshjen e “5 qershorit”. Në zbatim të saj, u votuan në 23 qershor ndryshimet në Kod. Por, Komisioni thekson se në 30 korrik, Parlamenti votoi ndryshimet kushtetuese që nuk janë rekomandime të OSBE/ODIHR: “Këto amendamente që nuk janë të lidhura me zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, kërkuan ndryshime të tjera në Kod, që u diskutuan nga partitë në Këshillin Politik, por pa arritur kompromis para votimit të 5 tetorit. Dialogu politik në vend ka nevojë për përmirësim, veçanërisht për Reformën Zgjedhore dhe zbatimin e saj”.

Sipas KE, rezultatet kanë vazhduar edhe në zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme: “Procesi i vetting-ut ka sjellë rezultate të prekshme. Deri tani, më shumë se 62% e dosjeve të vetting-ut kanë rezultuar në shkarkime ose dorëheqje”.

Por, krahas vlerësimit të Reformës në Drejtësi, KE ngre shqetësimin për mungesën e plotësimit të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, duke kërkuar funksionimin e plotë të tyre: “Shqipëria po bën progres në rindërtimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka caktuar tre anëtarë të rinj. Kjo ka vënë bazat për rikthimin e funksionimit dhe rritjen e besimit publik. Shqipëria duhet të sigurojë funksionimin e plotë të Gjykatës Kushteutese dhe të Lartë”.

Raporti vlerëson se Shqipëria vazhdoi të forcojë luftën kundër korrupsionit, por kërkon rritje të numri të dënimeve në çështje të zyrtarëve të lartë. Në dokument, Brukseli vë theksin edhe te paketa antishpifje, të cilën mazhoranca po e rishikon pas rekomandineve të Komisionit të Venecias: “Paketa e re e legjislacionit mbi antishpifjen ngriti shqetësime lidhur me ndikimin e saj të mundshëm negativ në lirinë e shprehjes. Shqipëria duhet të rishikojë ligjin e ta sjellë atë në standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, veçanërisht për median online”.