Vlerësimet e Komisionit Europian: Shqipëria, afër plotësimit të kushteve, por kodi kaloi pa konsensus

progres raporti shqiperi komisioni europian 1100x620

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim vendimtar dhe është shumë pranë arritjes së plotësimit të kushteve të Këshillit Europian, për tryezën e parë ndërqeveritare.

Në rekomandimet e raportit të Komisionit Europian, një kopje të të cilit A2 e ka, Brukseli zyrtar vlerëson se Shqipëria ka përparuar në objektivat e vendimit të Këshillit Europian, për hapjen e negociatave.

Shqipëria vijon të mbajë qëndrim 100% në përputhje me linjën e Bashkimit Europian sa i përket politikave të jashtme. Pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme, Shqipëria ka bërë përparime vendimtare dhe është pranë plotësimit të kushteve të vendosura në prag të konferencës së parë ndërqeveritare.

Pjesë nga përfundimet e progres-raportit për Shqipërinë

Sa i përket miratimit të kodit të ri zgjedhor, që u votua të hënën në Kuvend, raporti përsërit qëndrimin e mbajtur një ditë më parë nga Bashkimi Europian, duke theksuar se ndryshimet nuk kanë lidhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Polarizimi i tensionuar politik mori fund më 20 janar, kur palët ranë dakord që të punojnë mbi reformën zgjedhore. Më në fund marrëveshja u arrit më 5 qershor 2020, duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR. Përveç kësaj, Parlamenti miratoi disa amendamente në Kushtetutë që kanë lidhje me sistemin zgjedhor. Zbatimi i këtyre ndryshimeve që nuk kanë lidhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, kërkonin amendime të mëtejshme të kodit zgjedhor të cilat u diskutuan mes partive në Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis, Parlamenti i miratoi më 5 tetor. Pavarësisht rezultatit pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, në veçanti në lidhje me kodin zgjedhor dhe zbatimin e tij.

Pjesë nga përfundimet e progres-raportit për Shqipërinë

Sipas Komisionit Europian rezultatet kanë vazhduar edhe në zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme. Raporti vlerëson se Shqipëria vazhdoi të forcojë luftën kundër korrupsionit, duke bërë përparim të mirë duke konsoliduar koordinimin operacional dhe kapacitetet monitoruese. Në rekomandimet e KE, vlerësohet se në linjë me Konkluzionet e Këshillit, Komisioni ka nisur punën përgatitore dhe pret konferencën e parë ndërqeveritare, pas zbatimit të kuadrit negociator nga Këshilli.