Zgjedhjet e 25 prillit, dalin listat paraprake, probleme nga sistemi i adresave

Rreth 3.6 milionë shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e 25 prillit. Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile shpall listat paraprake zgjedhore të cilat mund të verifikohen nga çdo votues pranë çdo njësie vendore, por dhe online.

“Listat janë dërguar pranë njësive vendore. Ato duhet të jenë në vende të dukshme për t’u verifikuar nga çdo shtetas, por mund ta gjejë edhe tek e-Albania. Në rast se nuk e gjeni emrin duhet t’i drejtoheni  zyrës së gjendjes civile”, thotë Vangjush Stavro, drejtor i Sistemeve Informative në DPGjC.

Ende shumë kanë mospërputhje të adresës me gjendjen civile njëherësh dhe qendrën e votimit, për shkak të procesit të projektimit të popullsisë i kryer nga Ministria e Brendshme dhe OSHE. Drejtori i sistemeve informative në Ministrinë e Brendshme tregon se si do të veprohet me këta banorë.

Vangjush Stavro, drejtor i Sistemeve Informative në DPGjC.

“Mund të kemi një shtetas që gjendjen civile në qendrën e votimit e ka në njësinë numër 5 në Tiranë. Por kur është bërë projektimi i popullsisë, shtetasi mund të ishte me pushime në Shëngjin dhe ka deklaruar adresën e shtëpisë atje. Atëherë ka ndodhur që kur kemi migruar të dhënat ne kemi ndryshuar vetëm adresën dhe jo gjendjen civile dhe qendrën e votimit. Ne i kemi identifikuar këta persona dhe do të kontaktohen nga gjendjet civile për të përditësuar të dhënat”, shton Stavro, për A2.

Por në 25 prill mund të keni një qendër tjetër votimi nga ajo që keni pasur në proceset e tjera, pasi Kodi zgjedhor ka ndryshuar numrin e votuesve për t’u hapur një qendër votimi.

“Në Kodin Zgjedhor ka ndryshuar limiti i poshtëm, pra një qendër votimi nuk do të ketë më pak se 300 votues dhe jo më shumë se 1 mijë”, sqaron Stavro.

Si në çdo periudhë parazgjedhor edhe këtë herë pritet të hiqen penalitetet për banorët që do të ndryshojnë gjendjen civile. Burime për A2 bëjnë të ditur se një grup deputetësh  do t’i propozojë Kuvendit heqjen e gjobës 10 mijë lekë të rinj që aplikohet për qytetarët të cilët brenda 30 ditëve nga  ndryshimi i gjendjes civile nuk e deklarojnë këtë veprim.