Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

11-vjeçari bën 2700 km në këmbë, në 3 muaj, për të takuar gjyshen e tij

Nga A2 CNN
7 Tetor 2020, 10:50 | Lifestyle

Një djalë, vetëm 11 vjeç, ka ecur më shumë se 2700 kilometra në këmbë, së bashku me babanë e tij, për të takuar gjyshen. 

Më në fund, të dielën e kaluar, Romeo Cox përqafoi gjyshen e tij Rosemary, 77 vjeçe, pasi nisi udhëtimin e tij, 3 muaj më parë, nga Palermo në Londër.

Ata ecën në këmbë nëpër Itali, Zvicër dhe Francë, duke kaluar vështirësi të mëdha në rrugën e tyre, vetëm e vetëm që djali i vogël të takonte gjyshen e tij, të cilën nuk e shihte prej më shumë se një viti.

Pasi mbërritën në Londër, pavarësisht dëshirës së madhe për të shkuar te gjyshja, ata u detyruan të qëndronin edhe dy javë në karantinë për shkak të koronavirusit para se të shihnin 77-vjeçaren në shtëpinë e saj në Witney, Oxfordshire.

Pamjet e publikuara tregojnë 11-vjeçarin duke vrapuar në metrat e fundit përpara se të përqafojë gjyshen e tij. Sapo hyri në shtëpi, Rosemary i thotë nipit të saj: “Unë jam shumë krenare për ty. Është fantastike ajo që keni bërë. Të lumtë!”

“Kur u afrova te shtëpia e gjyshes, unë nisa të vrapoj, ndërsa babai ngeli prapa. Ne patëm përqafimin më të ngrohtë ndonjëherë. Më kishte marrë shumë malli. Një natë më parë nuk kam fjetur dot”, tregon mes emocionesh djali.

Romeo, me baba anglez dhe nënë italiane, u zhvendos gjatë vitit të kaluar nga Londra, në Palermo. Kjo bëri që ai të mos e takonte gjyshen e tij për shkak të izolimit nga pandemia. Me fluturimet e avionëve të anuluar, Romeo vendosi të shkonte te gjyshja e tij në këmbë.

“I pyeta prindërit dhe më shumë se 50 herë mora një ‘jo’. Unë ngulmova dhe përfundimisht ata ranë dakord”, ka treguar 11-vjeçari.

Gjatë aventurës së tyre, Romeo dhe babai i tij fjetën në qiell të hapur, u ndeshën me një tufë qensh, ndërsa gjetën edhe një gomar, të cilin e quajtën Pedro. “Më pëlqente të flija në qiell të hapur e të shihja yjet”, ka thënë Romeo. “Ne kemi humbur rrugën disa herë, kemi fjetur nën një fole grerëzash, që nuk ishte një ide aspak e mirë. Këmbët na u bënë gjak, por kurrë nuk kemi menduar të hiqnim dorë”, tregon djali.

Përfundimisht, pas 93 ditësh, babë e bir, arritën në Londër, më 21 shtator, qëndruan dy javë në karantinë dhe më pas arritën qëllimin, duke takuar gjyshen. Që prej 21 shtatorit, Romeo ka mbledhur gati 14 mijë paunde, të cilat do t’i përdorë për bamirësi ndaj refugjatëve dhe veçanërisht për arsimimin e fëmijëve të tyre. Ky frymëzim erdhi për 11-vjeçarin pasi ai u takua me Randolph, një tjetër fëmijë i ardhur në Siçili nga Gana.

Ecja prej 3 muajsh ishte gjithashtu një përvojë e pabesueshme edhe për Phil, babanë e Romeo-s, një gazetar, i cili në vitin 2017 u mbajt peng dhe u torturua në Sudan. Ai arriti të filmojë rrëmbyesit e tij, ndërsa e mbajti të fshehur kamerën për 3 muajt e tmerrit ku qëndroi i mbyllur.

“Ky udhëtim ishte vërtetë i shkëlqyer për shëndetin tim mendor, të merrja pjesë në imagjinatën dhe udhëtimin epik të djalit tim. Ishte një kohë dhe një moment i veçantë të ndaja me djalin tim. Diçka që të dy nuk do ta harrojmë gjatë gjithë jetës”, është shprehur Phil.

Pavarësisht se, tashmë do të kthehet në shtëpinë e tij në Palermo, Romeo është shprehur se aventura ia ka vlejtur tërësisht.

“Unë do të flas nga Italia me gjyshen, por nuk është e njëjta gjë si një përqafim i vërtetë. Ndoshta do të kthehem së shpejti, por këtë herë do të gjej një gomar më të mirë. Babai më tha se nuk ka më aventura për 6 muaj, por unë tashmë jam duke e planifikuar të radhës”, është shprehur 11-vjeçari.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani