Apeli i Guterres: Duhet mbulim shëndetësor universal, mungesa e investimeve shkatërron ekonominë

guterres 1 1100x620

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje që të nxirren mësime nga pandemia e koronavirusit, për të cilën bota nuk ishte përgatitur.

Një nga këto, tha ai në dokumentin e tij të fundit mbi “Covid dhe mbulimi shëndetësor universal”, “është se mungesa e investimeve në shëndetësi mund të ketë një ndikim shkatërrues në shoqëri dhe ekonomi.

“Virusi ka treguar që mbulimi shëndetësor universal, sistemet e forta të shëndetit publik dhe gatishmëria për emergjencat janë thelbësore për komunitetet, për ekonomitë, për të gjithë”.

 Në vend të kësaj, pandemia ka zbuluar, sipas tij, sisteme shëndetësore absolutisht të papërshtatshme, boshllëqe të mëdha në mbrojtjen sociale dhe pabarazi të rëndësishme strukturore brenda dhe midis vendeve.

“Trajtimi shëndetësor nuk duhet të varet nga situata financiare,” – tha Guterres, duke vënë në dukje se mbulimi shëndetësor universal kërkon që qeveritë të rrisin investimet në të mirë të komunitetit për shëndetin, si dhe duke i bërë programet e shëndetit publik përfshirës dhe të drejtë.

“Unë i nxis të gjithë të rrisin investimet në mbulimin shëndetësor universal dhe sisteme më të forta shëndetësore, duke filluar menjëherë,” përfundoi ai.