Biden: Nuk duhet të ketë një debat të dytë, nëse Trump vijon të jetë i infektuar

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha të martën se debati i dytë presidencial nuk duhet të mbahet nëse presidenti Donald Trump, vijon të jetë ende i infektuar me koronavirus, por ai shtoi se do të vendoste pjesëmarrjen apo jo në debat mbi rekomandimet e ekspertëve mjekësorë.

“Epo, unë mendoj se nëse ai është ende i infektuar me Covid, ne nuk duhet të kemi një debat,” u tha Biden gazetarëve në Maryland.

“Mendoj se do të duhet të ndjekim udhëzime shumë të rrepta. Shumë njerëz janë infektuar dhe është një problem shumë serioz.”, shtoi ai.

Biden shtoi se ai e pret me padurim debatin me Trumpin, por shpreson se në fund do të ndiqen të gjitha protokollet.  

Trump, i cili u largua nga Qendra Kombëtare Ushtarake “Walter Reed”, të hënën pasi mori trajtim për virusin, është midis më shumë se një duzinë personash pranë administratës ose fushatës së tij, që janë infektuar ditëve të fundit.

Presidenti testoi pozitiv të enjten e shkuar, por është ende e paqartë se kur ai mund të ketë marrë virusin pasi zyrtarët, përfshirë mjekun e tij, dr. Sean Conley, kanë refuzuar vazhdimisht të zbulojnë kur Kreu i Shtëpisë së Bardhë, rezultoi për herë të fundit negativ.

Trump ka thënë se ai planifikon të paraqitet për debatet e ardhshme pavarësisht diagnozës së tij pozitive të koronavirusit, duke bërë që organizatorët e debatit të marrin në konsideratë një mori mundësish për mënyrën e mbajtjes së dy debateve presidenciale. Një mundësi e mundshme është mbajtja e debateve në mënyrë virtuale.