Covid-19 në Europë, shumë shtete regjistrojnë shifra rekord infektimesh

Çekia, Bullgaria dhe Polonia regjistruan shifra rekord të infektimeve ditore, ndërsa në Paris 40 për qind e shtretërve në terapitë intensive janë zënë nga pacientët me Covid-19. Europa është në alarm dhe shumica e shteteve kanë rikthyer kufizimet.

Situata me Covid-19 në Europë nuk është ngushëlluese. Autoritetet në Francë paralajmërojnë se më shumë se 40 për qind e shtretërve në terapitë intensive në rajonin e Ile de France, janë tashmë të zëna nga pacientët me koronavirus. Sipas tyre, 445 persona po trajtohen në spitalet e zonës, ku përfshihet edhe kryeqyteti Paris. Bëhet fjalë për rajonin më të populluar të Francës me më shumë se 12 milionë banorë. Ndërsa autoritetet paralajmërojnë se niveli i shtrimeve në terapitë intensive mund të arrijë në 50 për qind brenda dy javësh, disa spitale kanë filluar të rishikojnë operacionet e planifikuara. Rritja e pacientëve në terapitë intensive vjen ndërsa Parisi ashpërsoi masat anti-covid nga e marta, duke mbyllur të gjitha baret, kafenetë, palestrat dhe pishinat.

Githashtu, kryeqyteti gjerman, Berlini, urdhëroi mbylljen e restoranteve dhe bareve nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në 6:00 të mëngjesit. Sipas kryebashkiakut, Michael Müller, nëse nuk veprohet tani, do t’i rikthehen një izolimi tjetër.

Nga e premtja belgët do të duhet të kufizojnë kontaktet e ngushta në një maksimum prej tre personash kur të jenë jashtë shtëpisë, ndërsa Finlanda, e cila regjistroi 227 raste të reja në një ditë, planifikon kufizim të orarit të hapjes së lokaleve dhe restoranteve.

Në alarm janë edhe autoritetet çeke, pasi vendi regjistroi një rekord të ri prej mbi 4400 infektimesh në 24 orë dhe 13 vdekje. Përgjatë 14 ditëve të fundit Çekia ka shënuar numrin më të lartë të rasteve të reja për 100 mijë banorë, në Bashkimin Europian. Shifra ditore rekord raportuan edhe Bullgaria, Polonia dhe Ukraina. Kjo e fundit regjistroi mbi 4700 infektime, ndër të cilat 219 fëmijë dhe 77 vdekje. Në Bullgari pati 436 raste dhe 8 vdekje në 24 orë.