Debati për arsimin në “A2 Business Week”

a2bw 1100x620

Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, deklaroi në “A2 Business Week” se qeveria ka në vëmendjen e saj arsimin dhe investimet janë bërë në drejtimin e duhur.

“Qeveria ka vëmendje për arsimin. Nga ana tjetër, arsimi është shoqëruar me një sërë politikash të tjera që kishin të bënin me rregullimin e sistemit arsimor në çdo nivel, duke nisur nga niveli parashkollor deri në ciklin e lartë. Shqipëria është ende larg në nivelet që do të donte të ishte, por investimet në arsim janë bërë në drejtimin e duhur. Një familje shqiptare shpenzon më pak për arsimin në krahasim me vitin 2013, që do të thotë tarifat për librat janë ulur”, u shpreh Ekonomi.

Por, sipas ekspertit të ekonomisë Enriko Ceko, paratë e taksapaguesve shqiptarë në lidhje me arsimin nuk shkojnë aty ku duhet: “Mbyllja e universiteteve para 6 vitesh ishte e jashtëligjshme sepse u duhej dhënë 6 muaj afat që të korrigjoheshin. Nuk iu dha kjo mundësi. Studentët nuk dinin ku të shkonin. E vërtetë që ka përmirësim të kurrikulave në universitetet shqiptare, por nëse do të shohim shifrat e shpenzimeve për arsimin, arsyeja pse kanë rënë është se 600 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi. Në universitetet shqiptare publike nuk ka projektorë e kompjuterë. Paratë e taksapaguesve shqiptarë në lidhje me arsimin shkojnë te kontratat që bëjnë universitetet me policitë private për të mbrojtur territorin e universiteteve. Duhet investuar për gjëra të tjera sepse ne i kemi paratë, por nuk i kanalizojmë aty ku duhet”.

Shpenzimet publike për arsimin, A2 Business Week

Ceko komentoi edhe rritjen e pagës për mësuesit: “Nëse mbështesim ashtu siç duhet mësuesit, shtesa e pagës është mundësi e mirë për të nxitur që në arsim të ndahet shapi nga sheqeri. Të ikin rrugaçët dhe të ngelen vlerat në arsim”.

Ndërsa Akil Kraja nënvizoi se “protestat e studentëve e treguan më mirë dështimin total të dialogut me studentët”.

“Që nga koka e deri në fund, sistemi arsimor është jashtë standardit. Mund të rritet buxheti, por kush po e menaxhon këtë buxhet? Është e prishur e gjithë struktura”, theksoi Kraja.