Dy operacione antikanabis, asgjësohen bimët e kultivuara nga shqiptarët në Spanjë

kanabis spanje 600x338

Me mijëra bimë kanabisi të kultivuara nga grupet kriminale shqiptare janë gjetur dy ditët e fundit nga Guardia Civil në Spanjë, e cila ka realizuar dy operacione. Ditën e hënë u zbuluan mijëra bimë kanabisi të mbjella afër shenjtores më të madhe të Opus Dei, në malet Pirenej, në kufi me Francën.

Sipas “Publico”, droga ishte mbjellë në një terren të ashpër malor, ndërsa Arturo Notivoli, kapiteni kryesor i njësisë së tretë të Gardës Civile në Huesca thotë se u gjet një gjenerator elektrik prej 140 kilogramësh i përdorur nga trafikantët shqiptarë të drogës për të vënë në punë pompën që furnizonte me ujë bimët e marijuhanës nga një rezervuar.

Vendi ku u gjet kanabisi është një vend i egër dhe zona u shndërrua nga Franko në një djerrinë. Të gjithë u shpronësuan me forcë, gjë që krijoi një anomali gjeografike. Aty shkojnë vetëm pelegrinët e devotshëm që i luten të Zojës së Bekuar, që njihet si Virgjëresha e Zezë. Kapiten Notivoli thotë: “Unë nuk kam qenë ndonjëherë 200 metra larg një plantacioni dhe ishte e pamundur ta zbuloja. Ata pastrojnë pyjet për të pastruar zonat e kultivimit, por gjithmonë i lënë disa pemë të paprekura, në mënyrë që majat e tyre të fshehin tokën dhe të mos lejojnë që kanabisi të shihet nga ajri. Ata, gjithashtu, përdorin dru zjarri nga pastrimi për të krijuar pengesa dhe për të ndërtuar një lloj fortese në zonat e pyllëzuara që janë tmerrësisht të mbyllura dhe pa hyrje kryesore”.

Ndërkaq, këtë të martë, në Masboquera u arrestua një 37-vjeçar shqiptar që kishte në ruajtje një plantacion kanabisi të përbërë nga 3 537 bimë, të cilat ishin mbjellë në një zonë të pyllëzuar të njohur si lugina Llastres de Masboquera. Guardia Civil zbuloi fillimisht një gardh rrethues të bërë nga një rrjetë teli dhe mbuluar me shkurre, ndërsa bimët ishin në gjendje optimale, gati për t’u mbledhur. Shqiptari jetonte në një çadër dhe përpos kultivimit të kanabisit, kontrollonte edhe hyrje-daljet në zonë.