Facebook do të bllokojë QAnon, teoritë konspirative që u futën në jetën dhe politikën amerikane

1 36 1100x620

Facebook do të bllokojë çdo faqe, grupe dhe llogari në Instagram që prezantojnë teoritë konspirative të QAnon.

Masa vjen tre vjet pasi këto teori të ekstremit të djathtë nisën të qarkullonin.

Gjatë kësaj kohe, adhuruesit e QAnon kanë shpërndarë një numër teorish të ndryshme dhe shpesh kontradiktore, por idetë themelore të platformës janë se një numër i madh politikanësh dhe personazhe të famshëm të botës së spektaklit bashkëpunojnë me qeveritë në të gjithë botën dhe kanë organizuar një rrjet të abuzimit me fëmijët. Ndjekësit besojnë se, gjithashtu, ky grup është pjesë e përpjekjeve për të eliminuar presidentin, Donald Trump.

Vitin e kaluar një zyrtar i FBI paralajmëroi se pasuesit e QAnon janë një kërcënim i brendshëm i terrorizmit.

Masa e Facebook do të mirëpritet nga disa njerëz, megjithatë, platforma ka lejuar që komploti të rritet dhe të përhapet për vite me radhë.

Tani shumë republikanë që garojnë për Kongres, kanë shprehur mbështetje për QAnon. Në gusht, presidenti, Donald Trump, vlerësoi ndjekësit e QAnon për mbështetjen e tyre.

“Unë nuk di shumë për lëvizjen, përveçse kuptoj se ata më pëlqejnë shumë, gjë që unë e vlerësoj”, tha Trump në dhomën e informimit në Shtëpinë e Bardhë.