Futbollisti tregon si u kthye Genoa në një vatër infeksioni, ndërsa ka edhe një mesazh

Genoaaa 1 1100x620

Të paktën 17 futbollistë dhe 5 pjesëtarë të stafit teknik të skuadrës së Genoa kanë rezultuar pozitivë me koronavirus duke e kthyer klubin e Serie A në një vatër infeksioni.

Por si u përhap kaq shumë Covid-19 në këtë skuadër? Përgjigje kësaj pyetje i ka dhënë mbrojtësi Zappacosta, një prej të infektuarve, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.

“Në fillim u infektua Mattia Perin, portieri i skuadrës, i cili ishte disa ditë me temperaturë të lartë, por tashmë është mirë. Një ditë më herët, ai ishte pa simptoma, por pasi rezultoi pozitiv, u vendos në izolim. Problemi është se ai e kishte shpërndarë virusin në dhomat e zhveshjes para se të rezultonte pozitiv. Nga aty filloi gjithçka. Tamponët e radhës të lojtarëve rezultuan të gjithë negativë edhe pse tashmë shumë prej nesh ishin të infektuar, përfshirë edhe unë. Megjithatë, ne nuk kishin zgjidhje tjetër, pasi na duhej të shkonim në Napoli për të luajtur ndeshjen, e cila tashmë ishte e konfirmuar”, tregon Zappacosta.

Në Napoli, Genoa u mposht 6-0, ndërsa vetëm një ditë pas ndeshjes 14 lojtarë dhe pjesëtarë të stafit rezultuan pozitivë me Covid-19. “Përgatitja e ndeshjes ishte e vështirë. Na morën tamponët në mëngjes, ndërsa më pas fluturuam për në Napoli, ndërsa gjatë natës kishim fjetur pak dhe keq. Nuk ndihesha mirë. Edhe pse nuk kisha temperaturë, nuk isha mirë. Pastaj ndeshja ishte e vështirë, kjo edhe për shkak se Napoli është një skuadër e fortë”.

Më tej, mbrojtësi thekson se Covid-19 nuk mund të kontrollohet. “Ne kryenim teste çdo tri ditë. Problemi është se të hënën mund të jesh negativ, të martën mund të kryesh tamponin, ndërsa të enjten autoritetet zbulojnë se ti je pozitiv, ndërkohë që kanë kaluar dy ditë dhe mund të kesh infektuar të gjithë ekipin në dhomën e zhveshjeve. Pastaj tamponët nuk janë edhe aq të saktë. Ajo që na ndodhi ne mund të kishte ndodhur me secilin ekip, si me rastin e Ibrahimovic, i cili, megjithatë, nuk infektoi asnjë futbollist tjetër”.

Mbrojtësi i Genoa-s shprehet se rreziku është shumë i lartë dhe duhet të reflektohet për këtë. “Njerëzit mendojnë se ne duhet të qëndrojmë të mbyllur, por gjithashtu edhe ne kemi familje dhe fëmijë të vegjël. Nuk mund të jetojmë me barrikada. Nëse rreziku është i lartë duhet të gjendet një zgjidhje, duke pasur parasysh që në fund të fundit mund të infektohesh kudo, qoftë edhe duke furnizuar makinën me karburant”.

Zappacosta

Koronavirusi ka vënë seriozisht në diskutim vijimin normalisht të Serie A. Dy lojtarë të Milanit, Duarte dhe Ibrahimovic janë të infektuar me Covid-19. Po ashtu, edhe Napoli ka konfirmuar të infektuar futbollistët Zielinski dhe Elmas, fakt që bëri të anulohet edhe ndeshja me Juventusin, tejet e kontestuar, pasi skuadra e Gattuso-s u ndalua të udhëtojë drejt Torinos nga autoritetet lokale, ndërsa bardhezinjtë zbritën në fushën e lojës. Tashmë, pritet të merret një vendim për këtë takim, i cili me shumë gjasa do t’i jepet në tavolinë Juventusit 3-0.