Garimi me një koalicion, PD dhe aleatët ende pa vendim: S’ka aleancë me PS
Grupimi në një koalicion konsiderohet gjerësisht si arma më e fortë që ka aktualisht opozita për të ardhur në pushtet, por pavarësisht mbledhjeve e diskutimeve ende nuk ka një vendim. Numri dy i demokratëve i quan modalitete të parëndësishme.
“Nuk janë të rëndësishme modalitetet. E rëndësishme është se ne jemi një bashkim i madh edhe me qytetarët e ndershëm të këtij vendi”, u shpreh Gazmend Bardhi.
Të parëndësishme vlerësohen prej sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara të hënën e kaluar.
“Ndryshimet në kodin zgjedhor tregojnë vetëm frikën e Ramës”.
Po atëherë, përse tonet e Presidentit të Republikës janë shumë më të shqetësuara se ato të demokratëve?
“Presidenti është në krye të detyrës. Ai ka si funksion të mbrojë kushtetutën dhe deri më sot e ka bërë në mënyrë të përkryer. Por mua nuk më takon të komentoj deklaratat e Presidentit”.
Qetësia e demokratëve, në kontrast me acarimin e LSI-së, është parë në arenën politike si sinjal i një marrëveshje bashkëpunimi PS-PD pas zgjedhjeve. Një skenar të cilin Gazmend Bardhi e mohon.
“Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë koalicion me të keqen e këtij vendi. Ne kemi vendosur të bëjmë koalicion me qytetarët e këtij vendi”, u shpreh Bardhi.
Deklaratat erdhën nga Devolli, ku Bardhi ndoqi procesin e votimit të kandidatëve demokratë nga anëtarësia e qarkut të Korçës.