“Gripi është më vdekjeprurës se koronavirusi”, Facebook fshin postimin e Trump

Donald Trump OK 1100x620

Facebook ka fshirë një tjetër postim të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilin ai pretendon se Covid-19 është më pak vdekjeprurës se gripi sezonal.

Zëdhënësi i Facebook, Andy Stone, konfirmoi se kompania hoqi postimin për shkak se ajo thyen rregullat dhe dezinformon lidhur me Covid-19.

Duke minimizuar kërcënimin e virusit me të cilin po lufton aktualisht, presidenti Trump e krahasoi Covid-19 me gripin.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se mijëra njerëz humbin jetën çdo vit nga gripi dhe theksoi se në shumicën e popullatave ai është shumë më vdekjeprurës se koronavirusi.

“Sezoni i gripit po afrohet! Shumë njerëz, ndonjëherë mbi 100,000 në vit, pavarësisht vaksinës, vdesin nga gripi. A do ta mbyllim vendin tonë? Jo, ne kemi mësuar të jetojmë me të, ashtu si po mësojmë të jetojmë me Covid, në shumicën e popullatave shumë më pak vdekjeprurës”, shkroi Trump.

Në muajin gusht, Facebook dhe Twitter hoqën një tjetër postim të Kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Postimi përmbante një video të presidentit gjatë një interviste në Fox News në të cilën ai pretendonte, në mënyrë të gabuar, se fëmijët janë “pothuajse imunë” ndaj virusit.