I harruar nga institucionet, volejbolli i bashkohet thirrjes së federatave për ligjin e sponsorizimeve

Pas futbollit, mundja, basketbolli e së fundi edhe volejbolli bëjnë thirrje për të pasur një ligj konkret sponsorizimesh, jo thjesht sa për të thënë, por në mënyrë që investitorët të kenë interes për t’u afruar në klubet sportive.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, flet për rëndësinë e këtij ndryshimi, madje jep edhe një shembull se si ligji i sponsorizimeve ka funksionuar në Evropë.

 “Në Hungari me rregullimin e ligjit të sponsorizimit, shteti tatimfitimin ia njeh 100% tatimpaguesit, në qoftë se i jepet një federate apo klubi sportiv”, deklaron ai.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit Erlind Pëllumbi

Prej 7 muajsh volejboll nuk rikthehet më në parket si para pandemisë. Por në një kohë kur në vend është rikthyer normaliteti prej shkollave, palestrave e deri tek baret apo kafenetë, një prej sporteve më të rëndësishme në vend është lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse.

 “Kam intensifikuar takimet private edhe zyrtare me ministrinë e Arsimit që është përgjegjëse, nuk kemi pasur asnjë shenje konkrete, pavarësisht premtimeve. Besoj se fundi i muajt tetor do të na gjejë në salla”, parashikon Pëllumbi.