Mashtrim me faturat në AKBN, dëmi i shkaktuar është mbi 2 milionë dollarë

Gjashtë zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ranë në prangat e policisë gjatë operacionit të koduar “Akciza”. Simon Marku, Arben Doda, Naim Kasa, Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, u arrestuan pas fletarresteve të lëshuara nga prokuroria, ndërsa një 35-vjeçare u la në arrest shtëpie. Ndërkohë, u shpallën në kërkim dy të tjerë.

Zyrtarët e AKBN-së, së bashku me 2 personat e shpallur në kërkim akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda, kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre.

Sipas prokurorisë, procedimi nisi pas kallëzimit të bërë nga drejtori i shoqërisë “ALBpetrol”. Hetuesit thanë se shoqëria e drejtuar nga Naim Kasa dhe Isuf Berberi ka shfrytëzuar disa puse nafte, pas një marrëveshjeje hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërsa për ecurinë e saj është angazhuar AKBN.

Më qëllim plotësimin e detyrimeve për investimet e detyrueshme në këto puse dhe duke mos i realizuar ato në të vërtetë, shoqëria kishte paraqitur pranë AKBN 8 fatura të falsifikuara për shërbime të marra nga një kompani amerikane, të cilat nuk ishin kryer. Mashtrimi është konfirmuar dhe nga autoritete gjyqësore amerikane në një total prej 1,299 milionë dollarësh.

Punonjësit e AKBN certifikuan faturat e paligjshme, duke i zyrtarizuar punimet si të kryera. Gjithashtu, zyrtarët e tatimeve, Simon Marku dhe Arben Doda, përpiluan një raport kontrolli të paligjshëm duke i shkaktuar administratës së tatimeve një dëm prej 568 mijë dollarësh, ndërsa AKBN në total ka pësuar dëm prej 1,472 milionë dollarësh.