Meta: Do të rikthej për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor

meta varhelyi 1100x620

Presidenti Ilir Meta ka njoftuar pas takimit me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi, se do të rikthejë “për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor”.

“Duke u ndalur tek Reforma Zgjedhore, përcaktuar si kusht themelor për nisjen e negociatave të anëtarësimit, e informova Komisionerin se do të rikthej për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor. Duke mirëkuptuar kërkesën dashamirëse të Grupit të PPE në Parlamentin Europian për t’i dhënë edhe një mundësi Kuvendit një-partiak të tërhiqet nga minimi i procesit zgjedhor, me pasoja të rënda e afatgjata ndaj integrimit europian të Shqipërisë, uroj që pushteti të kthehet tek Marrëveshja konsensuale e 5 Qershorit. E garantova Komisionerin Varhelyi se çdo zgjidhje do të vijë nga populli shqiptar”, shkruan Meta në Facebook.

“25 Prilli do të jetë një referendum popullor që do t’u japë përgjigjen e merituar të gjithëve atyre që tentojnë të luajnë me të ardhmen europiane të vendit”, shton Meta.