Mungesa e vaksinës së gripit, radhë të gjata në Kinë

1 46 600x338

Një rritje e kërkesës për të kryer vaksinat e gripit në qytetet kineze ka shkaktuar radhë të gjata, mungesa në treg dhe më pas abuzime të çmendura me shitjet e vaksinave në internet.

Banorët, të frikësuar nga rreziku i prekjes nga gripi dhe Covid-19, kanë nxituar në klinika që kur Kina filloi fushatën e vaksinimit në shtator.

Autoritetet kineze të shëndetit këshilluan banorët të vaksinohen për gripin pasi simptomat e tij janë të ngjashme me fazën e hershme Covid-19 dhe kjo mund të komplikojë edhe më përpjekjet për të ndaluar përhapjen e koronavirusit këtë dimër. Zyrtarët, gjithashtu, kanë thënë që Covid-19 i kombinuar me gripin mund të rrisë nivelet e vdekshmërisë.

Disa qytete filluan fushatën që në gusht, ndërsa autoritetet thanë se sasia e dozave në dispozicion këtë vit do të ishte dyfishi i vitit të kaluar.

Megjithatë, në Pekin, klinikat kanë raportuar mungesa serioze dozash dhe banorët ankohen se nuk kanë qenë në gjendje të marrin vaksinën.

Një recepsionist në qendrën shëndetësore të komunitetit Chaoyangmen, një klinikë publike në rrethin Chaoyang të Pekinit, tha se kishte një listë pritjeje prej 1,200 personash, por vetëm 400 doza për t’u dhënë që nga fundi i shtatorit.

As klinikat private, ku pacientët paguajnë më shumë, nuk i përballojnë dot kërkesat e tregut.