Rritja e pagave, zhgënjehen mësuesit. Heshtin mjekët e pakënaqur

Mjekët janë të pakënaqur nga premtimi i kryeministrit, Edi Rama, për rritjen 40% të pagës, ndërsa mësuesit ndihen të fyer se nuk po vlerësohen si duhet.

Thonë se nuk kanë fuqinë e mjekëve për të dalë në protestë, edhe pse arsyet i kanë të shumta, por këtë pandemi mësuesit, sipas tyre, janë po aq të rrezikuar dhe të mbingarkuar në punë.

“Nuk do të dëshironim të krahasoheshim me mjekët, por as të nënvlerësohemi si profesion. Ne jemi po aq përballë riskut sa edhe mjekët që punojmë me shumë fëmijë, takojmë shumë prindër, pra jemi të rrezikuar ndaj Covid-19”, thotë Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Arsimtarëve.

Drejtues të sindikatës deklarojnë se kryeministri nuk e mbajti premtimin me rritjen 15% të pagave të arsimtarëve. Sipas tyre, mësuesit vijojnë të kenë pagat më të ulëta në rajon.

“70-80 mijë lekë në muaj do të ishte një pagë që do ta kënaqte mësuesin shqiptar. Me rritjen 15%, do të shkojë deri në 60 mijë. Nuk u mbajt premtimi për rritjen 40% të pagës. Kjo rritje po bëhet në prag të zgjedhjeve dhe jo e shtrirë në kohë”, shtoi Lama.  

Ndërsa mjekët refuzojnë të komentojnë premtimin e kryeministrit për rritjen 40% të pagës. Nuk fshehin pakënaqësinë, por as mundësitë për vijimin e bisedimeve për të plotësuar kushtet e kërkuara në protestë. Për shkak të pandemisë, vëmendja është kthyer nga mjekët, ndërsa për mësuesit ka dhe një shpresë të fundit.

“Nëse ka një botë tjetër, ju aty do të keni vendin më të mirë. E keni të garantuar këtë gjë, nuk do t’iu kërkojë njeri llogari kur të paraqiteni atje”, pati deklaruar Rama.