Varhelyi: Reforma zgjedhore është kusht! Koalicionet, s’mund të kufizohen të drejtat e të zgjedhurve

Komisioneri i Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, u pyet mbi Marrëveshjen e 5 Qershorit, për të cilën tha se është kthyer në një çështje.

“Po analizojmë votimin e Kuvendit, por sa i përket debatit politik duket që kemi të bëjmë me një çështje. Për aq kohë sa koalicionet paszgjedhore nuk pengohen, është diçka që mund të shikohet me mendje të hapur, por nuk mund të kufizojmë të drejtat e të zgjedhurve për të formuar koalicione para ose pas zgjedhjeve. Shpresoj që në bazë të asaj marrëveshjeje të marrin pjesë të gjitha partitë politike në zgjedhje”, tha Varhelyi.

Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen për komisionerin Varhelyi, duke theksuar se ka qenë mbështetës i pakursyer i të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Komisioneri Varhelyi ka qenë i pranishëm në vendin tonë dhe në ditë të vështira, nga të parët që na u gjendën në krah, duke ardhur këtu për të shprehur solidaritet me të gjitha familjet e goditura rëndë nga tërmeti. Nga ana tjetër, kënaqësia është e veçantë sepse qysh në sekondën e parë të fillimit të punës, komisioneri ka qenë mbështetës i pakursyer i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë në procesin e përshpejtimit të rrugës të çeljes së dyerve për të negociuar anëtarësimin në BE dhe siç do ta thotë vetë sot nuk është mjaftuar aspak me këtë aspekt të marrëdhënies së BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por është angazhuar në vetë të parë për një plan masiv ekonomik dhe financiar për të gjithë rajonin”, u shpreh Rama.