Varhelyi: Vij me lajme të mira, fillojmë fazën e investimeve, Rama: Na ndihmon të integrohemi

rama varhelyi 1100x620

Komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi se ka ardhur në Shqipëri me lajme të mira jo vetëm sa i takon politikës së zgjerimit, por edhe me planin ekonomik dhe nisjen e fazës së investimeve.

“Unë kam sjellë lajme të mira, ne po vijmë në fund të rinovimit të asaj që quhet politika e zgjerimit. Duam ta përforcojmë marrëdhënien tonë me Ballkanin Perëndimor dhe politikën e zgjerimit e kemi shumë seriozisht dhe kemi mundur të marrim daklordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë e RMV.  Dhe kalojmë te segmenti i tretë që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe planin e investimeve”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, komisioneri premtoi ndryshim rrënjësor të rajonit në 4-5 vitet e ardhshme.

“Duam të kemi ndikim madhor në rajon për të ndryshuar panoramën e të gjithë rajonit për 4-5 vitet e ardhshme. 9 mld euro me grante për këtë plan, do të arrijmë të gjejmë fondet edhe me 20 mld shtesë në garanci. Po flasim për një projekt madhor të dukshëm që do të fokusohen në ato lëme të ekonomisë që sjellin vende pune, infrastrukturën e energjisë, digjitalizimin, transportin dhe kapitale njerëzore”.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama, shprehu mirënjohjen për komisionerin Varhelyi, duke theksuar se ka qenë mbështetës i pakursyer i të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Komisioneri Varhelyi ka qenë i pranishëm në vendin tonë dhe në ditë të vështira, nga të parët që na u gjendën në krahë, duke ardhur këtu për të shprehur solidaritet me të gjitha familjet e goditura rëndë nga tërmeti. Nga ana tjetër, komisioneri ka qenë mbështetës i pakursyer i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë në procesin e përshpejtimit të rrugës së çeljes së dyerve për të negociuar anëtarësimin në BE dhe siç do ta thotë vetë sot nuk është mjaftuar aspak me këtë aspekt të marrëdhënies së BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por është angazhuar në vetë të parë për një plan masiv ekonomik dhe financiar për të gjithë rajonin”.

Sipas kreut të qeverisë, plani ekonomik i BE-së është një provë konkrete në vizionin e Shengenit rajonal, por dhe integron rajonin në tregun evropian.

“Ky plan është një provë konkrete e prekshme e shumë arsyeve të mira dhe e një bindjeje të madhe që qëndron në vizionin e Shengenit rajonal. Vizioni i një rajoni ku zhvillimi përmes bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një tjetër hapësirë dhe për t’i lënë gjeneratave të tjera një Shqipëri dhe një rajon shumë më të mirë. Në plan ka shumë aspekte, por aspekti kryesor i përgjithshëm është që plani do na ndihmojë që të integrohemi gradualisht si rajon me tregun europian, paralelisht me procesin e integrimit”.