6 të akuzuar për komplot në rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit

Gjashtë persona u akuzuan për komplot në përpjekje për të rrëmbyer Guvernatoren Demokratike të Miçiganit, Gretchen Whitmer në shtëpinë e saj të pushimeve, sipas një ankese penale të pa vulosur në gjykatën federale.

FBI citoi një nga të akuzuarit të thoshte se “Whitmer nuk ka kontroll dhe ekuilibër. Ajo ka pushtet të pakontrolluar tani. Të gjitha gjërat e mira duhet të marrin fund”.

Autoritetet kanë planifikuar një konferencë shtypi pasditen, e së enjtes, për të folur në lidhje me rastin.

Qeveria përdori informatorë dhe agjentë të fshehtë për të parandaluar komplotin e pretenduar. Të gjashtë personat u arrestuan të mërkurën në mbrëmje dhe secili përballet me burgim të përjetshëm. Avokati Andrew Birge i quajti ata “ekstremistë të dhunshëm”.

Në padinë penale thuhej se plani përfshinte zonjën Whitmer dhe shtëpinë e saj të pushimit në veri të Miçiganit.

Whitmer është vlerësuar, por edhe kritikuar lidhur me përgjigjen e shtetit të saj ndaj koronavirusit. Ajo vuri kufizime të mëdha për lëvizjet personale në të gjithë shtetin dhe në ekonomi, megjithëse shumë prej këtyre kufizimeve janë hequr. Në padi penale nuk përmenden urdhrat e saj për këtë çështje.

Përmes komunikimeve elektronike, dy nga komplotistët e pretenduar “ranë dakord të përfshijnë edhe njerëz të tjerët rreth kauzës së tyre dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër shumë qeverive të tjera të shteteve amerikane që ata besojnë se po shkelin Kushtetutën”, tha FBI-ja.

Personat janë identifikuar me emrat:Adam Fox, Ty Garbin, Kaleb Franks, Daniel Harris, Brandon Caserta nga Miçigani dhe Barry Croft nga Delauer.

Adam Fox tha se atij i duheshin 200 persona për të sulmuar ndërtesën e Kapitolit në Lansing të Miçiganit dhe për të marrë pengje, përfshirë guvernatoren, sipas FBI-së.