9 miliardë euro për rajonin, Gajo: Mungojnë projektet që të përfitojmë sa më shumë fonde

9 miliardë euro janë parashikuar të investohen në sektorë të ndryshëm nga BE-ja në vendet e Evropës Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë. Ekspertët e shohin këtë si një rreze drite në një kohë me re të zeza për shkak të pandemisë, tërmetit dhe parashikimeve për një rënie të fortë ekonomike.

Albert Gajo, ish-zëvendësministri i Integrimit Europian, deklaroi në “Ditari” në A2 se qeveria shqiptare nuk ka projekte të reja në mënyrë që të përfitojë sa më shumë fonde nga Bashkimi Evropian.

“Po përgatitet një program 7-vjeçar, me BE-në që po krijon disa akse që shkojnë në linjë me prioritetet e BE-së, por që nuk janë domosdoshmërisht prioritetet e vendeve të caktuara. Shqipëria është e kualifikuar për dy projekte që janë të vjetra: korridori blu dhe Skavica. Nuk ka projekte të tjera nga qeveria shqiptare. BE-ja është e gatshme të subvencionojë, por ne duhet të rirregullojmë programet tona sipas linjës së Bashkimit Evropian. Duhen programe të mirëfillta qeveritare që janë harruar këto 4 vitet e fundit”, tha Gajo.

Kur u pyet se si duhen përdorur paratë e BE-së, Gajo u shpreh: “Kryeministri Edi Rama theksoi se ne duhet të bëjmë përpara në aksin energjetik dhe të mjedisit sepse e kupton që në këto dy akse nuk ka programe të mirëfillta. Në një farë mënyre i lutet BE-së që ta ndihmojë për rindërtimin e kësaj strategjie që t’i përshtatet BE-së. Ne nuk kemi programe për energjinë e rinovueshme për shembull”.

Sa i përket integrimit, Gajo nënvizoi se “integrimin evropian po e shikojnë si pjesë të zhvillimit rajonal, të një mini-Evrope”.