Anketa e Bankës së Shqipërisë: Bie me mbi 70% xhiroja e bizneseve, nuk ka blerje
Gjysma e parë e vitit, e karakterizuar fort nga zhvillimet e pandemisë, ka prodhuar humbje të mëdha për sipërmarrjen.
Banka e Shqipërisë në bazë të anketave të zhvilluara me mbi 1300 biznese në sektorë të ndryshëm, llogarit se xhiroja dhe fitimet janë tkurrur me mbi 70%.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë më të prekurat, diçka që reflektohet edhe sot në terren. Bizneset ende vuajnë pasojat e krizës, 6 muaj pas rihapjes së ekonomisë. Stepja e konsumit ka përfshirë të gjithë vendin.
E njëjta situatë shihet edhe në tregun Çam. Frika nga një mbyllje e dytë, pasiguritë për vendin e punës dhe të ardhurat e munguara kanë ndikuar të gjitha në xhepat dhe planet e konsumatorëve.
Tregtia, industria, ndërtimi dhe shërbimet, të gjitha shprehin besimin për një përmirësim të shitjeve brenda këtij viti, që do të rijetësonte investimet dhe planet për t’u zgjeruar dhe punësuar staf.
Por vetë konsumatorët nga ana tjetër shprehen se nuk janë gati t’i rikthehen blerjeve të mëdha. Një krizë që sipas institucioneve ndërkombëtare, si Banka Botërore, do të karakterizojë recesionin e këtij viti, nisur edhe nga rritja e numrit të shqiptarëve që jetojnë nën kufijtë e varfërisë.