Arrihen votat, gati referendumi për shkarkimin e Bartomeut te Barcelona

bartomeu 1100x620

Përplasja me Leo Messin, që bëri yllin argjentinas të kërkojë largimin nga Barcelona, do t’i kushtojë shtrenjtë presidentin Bartomeu.

Opozita e tij arriti të mbledhë mjaftueshëm vota në mocionin e mosbesimit dhe tashmë klubi është gati për t’iu drejtuar referendumit.

Gjithçka bëhet e ditur nga Jordi Farre, biznesmeni dhe ideatori i mocionit kundër presidentit Bartomeu. Dy ditë përpara afatit të mbylljes, u njoftua arritja e minimumit të votimeve nga tifozët, rreth 16,500 të tilla.

Pas verifikimit të tyre, klubi ka afat 10 deri në 20 ditë për të mbajtur referendumin ku do të votohet pro ose kundër presidencës aktuale katalanase, që ka në krye pikërisht Bartomeun. Farre u deklarua kandidat për zgjedhjet e Barcelonës në mars të vitit të ardhshëm, por biznesmeni spanjoll kërkoi të përshpejtojë uljen e tij në karrigen e Bartomeut.

Më 26 gusht, ai prezantoi mocionin e mosbesimit, pikërisht një ditë pasi Leo Messi njoftoi dëshirën për t’u larguar nga Barcelona. Pas nisjes së procesit Farre u mbështet edhe nga kandidatët e tjerë për presidencën, Victor Font dhe Luis Fernandesh Ala. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Bartomeu do të futet në referendum apo do të japë dorëheqjen.