“Duhen bindur shtetet anëtare të BE”, Varhelyi: Kosova i plotëson kushtet për liberalizimin e vizave

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi udhëtoi drejt Kosovës për të dorëzuar personalisht progres-raportin e Komisionit Europian.

Gjatë këtij viti nuk ka pasur shumë përparim në rrugën drejt anëtarësimit në BE, thekson raporti, e shkak për këtë është bërë kriza politike dhe ndërrimi i qeverive.

Pasi takoi kryeministrin, Avdullah Hoti dhe kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, Varhelyi pranoi se Kosova i plotëson kushtet për liberalizimin e vizave, një çështje që është zvarritur për disa vite nga Blloku, por shtoi se duhen bindur vendet anëtare të Unionit.

“Po punojmë dorë më dorë për të bindur shtetet tona anëtare që Kosova të marrë liberalizimin e vizave. Nuk jemi akoma aty. Duhet akoma të punojmë fort dhe më duhet mbështetja e këtij parlamenti për këtë punë”, tha Varhelyi.

Gjatë fjalimit në parlament, eurokomisioneri foli edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, duke uruar që palët të bëjnë përparim dhe të arrijnë një marrëveshje përfundimtare. Gjithashtu shpjegoi planin e zgjerimit dhe të investimeve ekonomike të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Ai përmendi një sërë investimesh në Kosovë, ku ndër të tjera veçoi kontributin që do të japë Unioni në ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë, që lidh Serbinë me Kosovën.