Facebook dhe Twitter shkatërrojnë rrjetin global të dezinformimit

fb twitter 1100x620

Facebook dhe Twitter konfirmuan se kishin shkatërruar dhjetëra rrjete dezinformimi të përdorura nga grupe politike dhe të mbështetura nga shteti në shumë vende për të mashtruar përdoruesit në platformat e tyre.

Në deklarata të veçanta, të dy kompanitë thanë se kishin identifikuar dhe pezulluar më shumë se 3,500 llogari të tyre, të cilat përdornin identitete të rreme për të përhapur informacione të rreme ose mashtruese.

Rrjetet kishin në shënjestër përdoruesit në një përzgjedhje të gjerë vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara ku zyrtarët kanë paralajmëruar se qeveritë e huaja po përpiqen të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Në raste të shumta, kompanitë e mediave sociale kanë zbatuar ligjin e SHBA-së për të gjurmuar dhe shpërbërë fushatat e ndikimit politik që synojnë votuesit amerikanë dhe që u janë atribuar shteteve të huaja, kryesisht Irani dhe Rusia.

Por Teherani dhe Moska kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

Rrjetet e shkatërruara të enjten kishin një shtrirje globale përtej zgjedhjeve në SHBA. Operacionet synuan përdoruesit e internetit në të paktën 16 vende të tjera, duke filluar nga Azerbajxhani në Nigeri dhe Japoni, thanë kompanitë Facebook dhe Twitter.

Twitter tha se pesë rrjetet që ajo kishte pezulluar ishin të lidhura veçmas me grupe me lidhje me qeveritë e Iranit, Arabisë Saudite, Kubës, Tajlandës dhe Rusisë.

“Qëllimi ynë me këto zbulime është të vazhdojmë të ndërtojmë mirëkuptim publik rreth mënyrave në të cilat aktorët shtetërorë përpiqen të abuzojnë dhe minojnë bisedat e hapura demokratike,” tha kompania në një deklaratë.

Facebook tha se kishte gjetur 10 rrjete, disa prej të cilave i kishte identifikuar më parë publikisht. Rrjetet ishin kryesisht të lidhura me grupe politike që synonin audiencat e brendshme, tha ai, duke përfshirë ushtrinë e Mianmarit dhe krahun rinor të partisë në pushtet të Azerbajxhanit.

“Fushatat mashtruese, si këto, ngrenë çështje komplekse duke zbehur vijën e një debati të shëndetshëm publik dhe manipulimit”, tha Nathaniel Gleicher, shefi i politikës së sigurisë kibernetike në Facebook.