Kosova në kërkim të historisë, sot dueli me Maqedoninë e Veriut për finalen e Ligës së Kombeve

SOT MAQEDONI KOSOVE frame 1201 1100x620

Kosova sfidon sot në një ndeshje historike Maqedoninë e Veriut, teksa skuadra që do të triumfojë do të arrijë finalen e “Nations League 2019”, e cila vlen biletën e kampionatit Evropian të Futbollit.  

Kjo ndeshje i përket edicionit të kaluar të Ligës së Kombeve dhe u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në lidhje me takimin e rëndësishëm, zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Faton Zylbehari, tregoi për A2 se si po përjetohet prag sfida. “Është moment historik për të dyja ekipet, pasi kjo ndeshje siguron finalen e Ligës së Kombeve që të jep një biletë për në Evropian. Është një mundësi e paprovuar më parë nga të dyja vendet.

Duke qenë se vjen një ekip me shqiptarë (Kosova), është mirëpritur nga tifozët në Shkup. Dëshira jonë është që ta fitojmë ndeshjen, pavarësisht se kemi përballë vëllezërit tanë. Ne përfaqësojmë Maqedoninë e Veriut dhe kërkojmë fitoren sepse do të ishte fitore edhe e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Zylbehari.

Kosova ndërkohë u përball me një incident në stërvitjen e fundit përpara ndeshjes. Për 20 minuta u ndërpre energjia elektrike në stadium dhe futbollistët u stërvitën në errësirë. Ndeshja Maqedoni e Veriut –Kosovë do të luhet sot, në orën 20:45.