Marrëveshja me BERZH, turizmi dhe trashëgimia, Rama: Angazhim i jashtëzakonshëm i BE

Marrëveshja e firmosur, të enjten, nga kryeministri Edi Rama, me BERZH edhe pse online, do t’i mundësojë vendit tonë grante për të nxitur investimet në turizëm, sektori më i prekur nga tërmeti dhe pandemia e Covid-19.

“Është një hap i rëndësishëm ky memorandum që po firmosim sot, duke kombinuar interesat tona drejt BE dhe investimet në terren. Ky program është mjaft i mirëpritur sepse përfshin një paketë të plotë të riparimeve të zonave të trashëgimisë.

Siç kemi rënë dakord më parë, Shkodra, Vlora, Korça, Fier, Berat. Ka një angazhim të jashtëzakonshëm nga BE dhe komisioni për të na ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin mbështetur në vizionin e një tregu të përbashkët rajonal.

Shpresoj se hekurudha Tiranë-Durrës të jetë pjesë e një rrjeti të madh hekurudhor rajonal. Sa i takon aspektit digjital siç ju e përmendët, është diçka për të cilën mendoj se të gjithë duhet të bëjmë ç’është e mundur për ta nxitur. Për të vijuar më tej me energjinë tonë të pastër, duke vendosur theksin te gazi dhe energjia diellore dhe ajo hidrike, ne mund të ndihmojmë edhe të tjerët që dalëngadalë të mos përdorin më qymyrgurin. Shpresoj se BERZH do të na ndihmojë me ekspertizën e saj të vyer”, tha kryeministri.

Nga ana e tij, ambasadori i BE, Luiggi Soreca njoftoi se falë kësaj marrëveshje, do të lëvrohet një grant prej 40 milionë euro nga BE.

“Jam i lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që më në fund, shkyç një grant 40 milionë euro nga BE për programin e zhvillimit të turizmit, një prej sektorëve që u prek më ashpër nga Covid-19. Ndaj duhet të përshpejtohet puna për të kapur çdo vonesë dhe goditje të këtij sektori. Është koha që t’i futemi punës. Jemi këtu për t’ju ndihmuar, por presim vërtetë që të ecim shpejt përpara”, tha ambasadori i BE.