Mori 3 pistoleta në shkollë për t’ia treguar shokëve, arrestohet 12-vjeçari

pistoleta 1100x620

Një 12-vjeçar në Florida është arrestuar pasi kishte marrë 3 pistoleta me vete në shkollë, për t’ia treguar shokëve. Armët u zbuluan nga një mësues në shkollën private “Drita e Krishterë”, ku për një vit arsimor prindërit paguajnë 8200 dollarë.

Mësuesi i tha autoriteteve se i kishte bërë përshtypje sa e rëndë ishte çanta e drekës dhe kur e hapi zbuloi brenda 2 pistoleta dhe dy karikatorë, raportojnë mediat lokale. Më vonë, në zotërim të djalit u gjet edhe një pistoletë tjetër gjysmë automatike.

Televizioni lokal ABC Action News raportoi se kjo nuk ishte hera e parë që djali ishte i përfshirë në një incident me armë. Mamaja e tij u tha policëve se së fundmi ai kishte vrarë qenin e shtëpisë me një armë gjahu.

Drejtori i shkollës, Troy Arnold, tha se djali ua kishte treguar armët shokëve atë ditë. Ndërsa pjesëtarë të stafit arsimor gjetën një vizatim të një burri me armë jashtë shkollës të rrethuar me trupa të pajetë të ngjyrosur me të kuqe.

Përveç arrestimit, 12-vjeçari u përjashtua edhe nga shkolla, ndërsa Shërbimet e Kujdesit ndaj Fëmijëve po merren me çështjen.