Progres-raporti, Bumçi: Komisioni Europian ka zhbërë vetveten, nuk është më i besueshëm

Teksa foli për progres-raportin e Komisionit Europian, Aldo Bumçi, ish-deputet i PD, u shpreh në A2 se nëse do të kishte Gjykatë Kushtetuese dhe do të ishte respektuar marrëveshja e “5 qershorit”, shanset për hapjen e negociatave do të ishin shumë të mëdha.

Për Bumçin, ne jemi në këto pozita vetëm për shkak të këmbënguljes së Edi Ramës. “Raporti tregon dhe njëherë vullnetin e Komisionit Europian për të mbështetur Shqipërinë, një vullnet që Rama e ka keqpërdorur. Nuk do të ketë hapje negociatash, ndarja nga Maqedonia është e pashmangshme dhe këtë vit nuk kanë asnjë justifikim. 8 vite të humbura me një kosto të jashtëzakonshme vijnë për shkak të Ramës. Negociatat do të ishin hapur 3 vite më parë nëse do të ekzistonte minimumi i vullnetit politik. Ne e pamë se çfarë bëri kryeministri, arriti një marrëveshje dhe mbas pak ditësh e grisi atë, pavarësisht që ishte marrëveshja e parë që bënte me opozitën në 7 vite. Fajtori është shumë i qartë në sytë e shqiptarëve. Kushtet janë të thjeshta. Vetëm tani Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese. Nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese dhe do të respektohej marrëveshja e “5 qershorit”, shanset për negociatat do të ishin shumë të larta. Ne jemi në këtë pozitë për shkak të këmbënguljes së Edi Ramës.

Më tej, Bumçi kritikon edhe raportet e Komisionit, duke theksuar se kanë “mbyllur sytë” për gjendjen në Shqipëri. Për të, Komisioni e ka zhbërë vetveten.

“U bë disa vite radhazi që Komisioni Europian thotë për Shqipërinë që i ka plotësuar të gjitha kushtet. Vetëm raporti i fundit pranon se disa kushte nuk janë përmbushur, por janë pothuajse të përmbushura. Komisioni, për një sërë arsyesh, ka prodhuar raporte që mbyllnin sytë ndaj gjendjes. Kjo mund të jetë bërë edhe për vullnetin e mirë për t’i mbështetur këto vende. Por, kur i thua një ngelësi e ke bërë shumë mirë, ai nuk nxitet të punojë. Më pas, nga 5 kushte u bënë 10 kushte. Në raportin e fundit ka më shumë realizëm, përgjithësisht është një frymë që i ka karakterizuar edhe raportet e fundit. Në një farë mënyre, Komisioni e ka zhbërë vetveten, nuk është më aktor, nuk është më i besueshëm për vendet anëtare. Atëherë për kë është? Për ne shqiptarët? Pse, do të na e tregojë realitetin se si jetojmë në Shqipëri një raport? Kur i thonë gjermanët e të tjerë, se ky raport nuk qëndron dhe ne kemi kushte shtesë, kjo flet qartë për seriozitetin e raportit”, u shpreh Bumçi.