Rriten tensionet SHBA-Rusi në Detin e Zi

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Detin e Zi po shtohen gjithnjë e më shumë. Gazetari i CNN, Frederik Pleitgen, sjell një rrëfim ekskluziv mbi një avion luftarak dhe vrojtues amerikan që ndeshet shpesh me bombardues të ushtrisë ruse.

Ushtria amerikane lëviz në atë që Rusia e konsideron kopsht të saj. Jemi në bordin e një avioni të luftës dhe mbikëqyrjes detare P-8 në detin e zi. Ky është një rajon tepër i militarizuar. Na është thënë se avionët rusë janë në ajër. Ekuipazhi vëren një lëvizje, që është një bombardues SU-27, i cili largohet me shpejtësi, por avioni amerikan ndjehet i bezdisur.

Mund të jetë një pilot i paparashikueshëm, ndoshta është i ri ose diçka e tillë. Kjo përbën gjithmonë një sfidë. Sigurisht ne duhet të qëndrojmë në gatishmëri gjithë kohës teksa jemi të shoqëruar

Don Loudon, pilot

Ekuipazhi gjurmon dhe disa avionë të tjerë luftues rusë aty pranë.

Takimet si ai me aeroplanët luftarakë rusë nuk janë të rralla për personelin ushtarak amerikan që fluturon në vende si Deti i Zi. Në fakt ushtria amerikane thotë se ato po bëhen më të zakonshme. Disa prej tyre madje të pasigurta.

Fred Pleitgen, reporter i CNN

Në fund të gushtit dy bombardues rusë u ndeshën në një mënyrë shumë të pasigurt me një avion amerikan. Por Moska thotë se respekton normat ndërkombëtare. Por nuk ka asnjë dyshim që Rusia po shton presionin. Në 2017 një avion i këtij shteti shqetësoi një luftanije të SHBA-ve në Detin e Zi, ndërsa së fundmi në Siri, ushtria ruse u përplas me një autokolonë amerikane. Presidenti, Donald Trump, nuk i ka kërkuar llogari homologut, Vladimir Putin, për këto incidente, e megjithatë insiston se po tregohet i ashpër me Rusinë. Ky qëndrim nuk ka frenuar Kremlinin të shtojë prezencën në Detin e Zi gjatë viteve të fundit.

Avioni vrojtues fluturon në “gojë e luanit” në portin kryesor të gadishullit të Krimesë dhe vëren 10 luftanije ushtarake ruse dhe një nëndetëse, që rrethojnë shkatërruesin e SHBA-së, anijen Roosvelt. Forcat amerikane shprehen të gatshme të ndihmojnë aleatët dhe partnerët në rajon, me misione të vështira në zona të kontestuara si në Detin e Zi, ku Rusia vazhdon të rrisë ndikimin e saj.