Rritje rekord infektimesh në Holandë e Gjermani, italianët kudo me maska

Italia zyrtarizon vendimin për t’i bërë maskat të detyrueshme edhe në ambientet e jashtme, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Edhe pse rastet me COVID-19 ne Itali janë më të ulëta sesa në shtetet e tjera europiane që prej fundit të verës, ka një trend të qëndrueshëm rritjeje.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se masa ishte e nevojshme për të shmangur rikthimin e izolimit shkatërrues për ekonominë.

 “Nga tani e tutje, kur dalim nga shtëpia duhet të marrim me vete maskat dhe pajisjet e tjera mbrojtëse. Duhet t’i mbajmë maskat gjatë gjithë kohës përveçse në rastin kur jemi në një situatë të izolimit të vazhdueshëm”, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte.  

Maskat janë, gjithashtu, të detyrueshme në dyqane, zyra dhe mjete të transportit publik, bare e restorante për ata që nuk janë të ulur në tavolinë. Masat ishin në fuqi në disa pjesë të Italisë ku ka pasur rritje të nivelit të infektimit, si për shembull në Romë, por vendimi i fundit i shtrin ato në të gjithë vendin.

Ndërkaq, Gjermania raportoi rritje të rasteve ditore me 4 mijë të tilla të shënuara në 24 orët e fundit. Gjermania me 83 milionë banorë,  regjistron më pak se 10 mijë vdekje të lidhura me koronavirusin. Megjithatë, kufizime të reja po hyjnë në fuqi, përfshirë ndalimin e personave nga zonat më të rrezikuara, në hotelet e pjesës tjetër të vendit.

Republika Çeke vijon të ketë numrin më të lartë të rasteve për 100 mijë banorë, e po ashtu Holanda ka regjistruar një shifër rekord prej 5 mijë të prekurish në 24 orët e fundit. Të gjitha klubet dhe restorantet rreth Skocisë qendrore do të mbyllen nga e premtja, masë kjo që po konsiderohet edhe nga Anglia. Në Belgjikë të gjitha kafenetë dhe lokalet në kryeqytetin Bruksel do të mbyllen për një muaj.