Shërbimi urban në pandemi, mosrespektim i masave, bashkia nuk ka vendosur asnjë gjobë

Përse nuk hipe në autobus? “Ishte plot”, thotë një djalë i ri, që sapo e humbi orarin zyrtar për në shkollë.  Prezenca e lartë e qytetarëve në urban është alarmante, aq më tepër kur jemi ende në kohë pandemie.

Ndonëse janë këshilluar të punojnë me kapacitete të reduktuara, shërbimi urban nuk po e zbaton këtë rregullore. Çdo ditë shohim grumbullime masive njerëzish të cilët kanë nisur të shtyhen për të siguruar një vend në urban. Për situatën e përditshme qytetarët fajësojnë linjat e urbanëve të cilat nuk shtojnë kapacitetet në transport.

Udhëtimi për ta është bërë i pasigurt dhe i mundimshëm.

“Duhet të vijnë më shpesh. Janë skandal. Për respektimin e masave anti-Covid stafi i shërbimit urban nuk kujdeset. Fatorinot dhe shoferët shpesh i gjejmë pa maska” . Këto janë disa nga ankimet e dhjetëra personave në pritje në stacion. Justifikimi përpara kamerave është i menjëhershëm.

 Indiferentë qëndrojnë edhe qytetarët për zbatimin e rregullave të vendosura nga autoritetet. Maska për shumicën e tyre nuk shihet si detyrim udhëtues.

“Ju lejuan të udhëtoni pa maskë? Po. Sa e hoqa. Nuk bën punë maska”, është përgjigja.

Që në nisje të shërbimit urban ministria e shëndetësisë ia delegoi Policisë Bashkiake mbarëvajtjen e respektimit të rregullave anti-COVID. Interesimit të A2 Cnn për numrin e gjobave të vendosura për qytetarët dhe personelin e shërbimit urban, Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj.

Në mungesë të një kthim-përgjigje të kërkesës për informacion, duke iu referuar një raporti të Open Data, nuk rezulton asnjë masë administrative për shkeljen e rregullave në urban që nga rinisja e aktivitetit urban.