Silva Bino nga Infektivi: Covid-19 nuk është grip, vaksinimi i nevojshëm në pandemi

BINO NGA INFEKTIVI PER VAKSINEN frame 45 1100x620

Silva Bino rekomandon vaksinimin kundër gripit për të gjithë popullatën. Nga spitali Infektiv ku vijon të jetë e shtruar, shefja e Epidemiologjisë thotë se koronavirusi nuk është si gripi. Ndaj në mungesë të një vaksine kundër COVID, duhet të ruajmë imunitetin ndaj virozave në dimër.

E shtruar prej ditësh në Infektiv dhe e prekur nga forma e rëndë e koronavirusit, Silva Bino, më e bindur se çdo herë tjetër, thotë se COVID-19 nuk ka ngjashmëri me gripin. Tashmë që më të keqen e ka kalur, shefja e Epidemiologjise ka komunikuar online me gazetarët nga dhoma e Infektivit. Nuk ka dashur të japë shumë detaje për veten, por ka folur për rëndësinë e vaksinës së gripit këtë periudhë.

“COVID-19 nuk është grip, por një sëmundje serioze, sidomos në format e rënda. Unë kalova formë të rëndë të Covid-it, por erdha në kohën e duhur në spital. Edhe gripi është sëmundje. Për covid-in nuk kemi vaksinë, ndërsa për gripin kemi vaksinë. Që të parandalojmë gripin dhe covid-in, pra coinfeksionet, është i nevojshëm vaskinimi ndaj gripit”.

Këtë vit, Silva Bino, këshillon vaksinimin e të gjithë popullsisë për t’u mbrojtur nga gripi dhe ulja e imunitetit, pasi në qarkullim është dhe koronavirusi. Sipas shefes për sëmundjet infektive vaksinën e gripit mund ta kryejnë edhe të prekurit nga koronavirusi, menjëherë pas negativizimit të tyre.

“Një perosn i cili është i sëmurë me Covid nuk mund të vaksinohet pasi është me temperaturë. Pasi të shërohet nga koronavirusi mund të vaksinohet menjëherë”.

Ndërsa asimptomatikët nga koronavirusi para se të kryejnë vaksinën e gripit duhet të konsultohen me mjekun e familjes për gjendjen shëndetësore. Silva Bino deklaron se vaksina e gripit nuk dëmton dhe nuk shkakton grip. Injeksioni duhet kryer para dimrit dhe në periudhën kur individi është i shëndetshëm.