Spal ndryshon mendje, Etrit Berisha bashkohet me Kombëtaren

berisha etrit 600x338

Mes mungesave të lojtarëve, që nuk janë lejuar të paraqiten në grumbullim, dhe lëndimeve, ku shqetësuese mbetet gjendja e Thomas Strakoshës, Kombëtarja gjen pak ngushëllim.

Etrit Berisha i është bashkuar kuqezinjve, me klubin e SPAL që vendosi ta lejojë gardianin të udhëtojë drejt Shqipërisë.

Skuadra që në këtë sezon luan në Serie B, ndryshoi mendim dhe i dha dritën jeshile gardianit të paraqitet në Kombëtare, pavarësisht frikës për infektim nga koronavirusi.

Mes lojtarëve që nuk u lejuan nga klubet t’i bashkoheshin ekipit përfaqësues, për shkak të situatës pandemike janë Ylber Ramadani, Florian Kamberi, Lindon Selahi dhe Klaus Gjasula.

Për sa i takon gjendjes shëndetësore të futbollistëve, shqetësimet nuk mungojnë. Duke nisur nga pikëpyetjet për gjendjen e Strakoshës, te stërvitja e diferencuar e mbrojtësit Jon Mersinaj, i cili ka disa probleme muskulore.

Stërvitje të veçuar nga grupi kanë zhvilluar edhe mesfushori Amir Abrashi dhe sulmuesi i krahut, Myrto Uzuni, edhe pse të dy këta lojtarë pritet të jenë gati për sfidën e 11 tetorit me Kazakistanin. Në formë optimale nuk është as mbrojtësi Kastriot Dermaku, që ndërsa ishte në grumbullim me Kombëtaren finalizoi transferimin nga Parma te Leçe në Serie B.