Trump i rikthehet punës: Sëmundja ishte bekim nga Zoti, kurë falas për amerikanët

Stacionimi i trupave të marinës jashtë krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, nënkupton se presidenti Trump është rikthyer në zyrën ovale, në më pak se një javë pasi konfirmoi infektimin nga koronavirusi.

Mjekët thonë se presidenti nuk ka shfaqur asnjë simptomë gjatë 24 orëve të fundit dhe prej 4 ditësh nuk ka temperaturë.

Në një videomesazh, Trump e cilësoi sëmundjen një bekim nga zoti, pasi provoi kokteilin e antitrupave Regeneron, që sipas tij mund të kurojë koronavirusin.

“Brenda një kohe shumë të shkurtër më dhanë regeneron. Mora edhe ilaçe të tjera, por kokteili i antitrupave ishte i pabesueshëm. U ndjeva menjëherë më mirë dhe doja të dilja nga spitali. Dua që çdokush të marri të njëjtin trajtim si unë, pasi është shumë efikas. Prandaj mendoj se ishte një bekim që u infektova me koronavirus”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Trump shtoi më tej se qindra-mijëra doza të antitrupave të prodhuara nga regeneron ishin thuajse gati, por medikamenti nuk është aprovuar ende nga Agjencia për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Trump ripërsëriti sulmet ndaj Kinës dhe u tha amerikanëve se nuk do të paguanin për kurën.

“Ju nuk do të paguani për të, nuk është faji juaj për këtë që po ndodh. Është faji i Kinës dhe ajo do të paguajë një çmim të rëndë”, shtoi ai.

Por ndërsa presidenti nxiton t’i rikthehet aktiviteteve normale, dyshime dhe paqartësi mbeten mbi faktin nëse ai vazhdon të jetë pozitiv.

Shefi i kabinetit, Mark Meadows, tha se çdokush që po ndërvepron me Trump po e bën me të gjitha mjetet mbrojëse. Një memo ditën e hënë, kërkoi kufizim të lëvizjeve në katin e parë të krahut perëndimor dhe pranë rezidencës, ndërsa çdokush që do t’i afrohej presidentit deri në 2 metra do të duhej të kishte masa të rrepta mbrojtëse dhe sterilizuese.