Vrasja e vëllait të Talo Çelës, porositësi, i arrestuar edhe për 2 ekzekutime të tjera

Përplasjet mes grupeve kriminale te implikuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe atentatet mes anëtarëve të këtyre grupeve dyshohet të jete motivi edhe i vrasjes së Bujar Çelës në zonën e  Bradasheshit në Elbasan, pak javë më parë.

Sipas burimeve të A2, porositësi i kësaj vrasje dyshohet të ketë qenë Erion Alibej, i arrestuar më 18 shtator, pasi akuzohet si porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik, në qytetin e Elbasanit, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi, Emiljano Ramazani, dhe i vrasjes së ndodhur më datë, 29.07.2020, në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi, Regis Runaj. Aktualisht, ndaj Alibejt është dhënë masa e sigurisë arrest me burg.

Sipas hetimeve të kryera, dyshohet se, vrasja e Runajt dhe Ramazanit në korrik, por edhe ekzekutimi i Bujar Çelës, e kanë zanafillën në atentatin e trefishtë në dhjetorin e vitit 2018, kur është ekzekutuar Endrit Alibej, vëllai i Erion Alibejit. Endriti mbeti i vrarë në aksin Elbasan-Metalurgji, teksa u qëllua me breshëri. Të vdekur mbetën daja i tij Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay, shtetas turk, mik i Endritit. Erion Alibej është me precedent penal dhe në Itali njihej me emrat Erion Dylgjeri dhe Andrea Alibej.

Bujar Çela u vra mëngjesin e 17 shtatorit në zonën e Bradasheshit, pranë qytetit të Elbasanit, teksa ishte duke pirë kafe në një lokal.

Prishja e pazareve në trafikun e drogave jashtë vendit, mendohet të jetë motivi i kësaj sage të tërë vrasjesh që kanë tronditur qytetin e Elbasanit ndër vite. Vetë Erion Alibej nuk e ka pranuar në asnjë moment implikimin e tij në këto vrasje, por Prokuroria dhe Policia e Elbasanit, shprehen se tashmë e kanë zbardhur këtë zinxhir vrasjesh. Pavarësisht se dyshimet kanë një emër si porositës të vrasjes, ende nuk ka asnjë emër konkret të dyshuar si ekzekutor i Bujar Çelës.

Më 4 qershor të vitit 2013, Endrit dhe Erion u vunë në pranga nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”. Në saj të këtij operacioni u shkatërruan dy grupe të trafikut të drogës. Në dy shtëpitë e vëllezërve në Itali, pas arrestimit u sekuestrua 15 kg kokainë.