
38 mijë biznese të mbyllura/ Të vegjlit, 10 kërkesa drejtuar qeverisë
Mbi 38 mijë biznese të mbyllura, ky është bilanci alarmues i efekteve të pandemisë në ekonomi.
Kriza e konsumit, masat shtrënguese dhe rritja e kostove kanë vënë në vështirësi edhe mijëra sipërmarrje të tjera që sot rrezikojnë mbylljen. Shifrat vijnë nga Shoqata e Bizneseve të Vogla dhe të Mesme, që përballë kësaj gjendjeje i kanë dërguar qeverisë një listë zyrtare me kërkesa.
Kërkesat e biznesit kërkojnë të amortizojnë kostot e operimit dhe të nxisin një rigjallërim të konsumit.
Në pikën e parë i kërkohet qeverisë përshpejtimi i planit të rimëkëmbjes ekonomike, si dhe ai i rindërtimit. Biznesi, gjithashtu, kërkon përgjysmimin e tarifave vendore, të rritura ndjeshëm përgjatë këtyre viteve, veçanërisht, në qytetet e mëdha; reduktimin e çmimit të energjisë elektrike dhe ujit për kategorinë e biznesit; si dhe faljen e detyrimeve të prapambetura tatimore dhe doganore, së bashku me gjobat e papaguara.
Lista vijon me kërkesën për subvencionimin e 50% të qirasë mujore për ambientet e bizneseve; si dhe një bonus mujor për të papunët, pensionistët, dhe shtresat e tjera në nevojë për të nxitur konsumin. Mbështetje me grante kërkohet edhe për vetë sipërmarrjet në masën 1200 euro si një pagesë e vetme.
Ndërsa për bizneset e vogla në vështirësi, kërkohet krijimi i fondi të garancisë sovrane, ku një pjesë e interesave të paguhen nga shteti.
Dy pikat e fundit të listës kanë të bëjnë me ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit me të cilin përballen bizneset, si dhe largimin e zyrtarëve të korruptuar nga administrata.
Shoqata i ka lënë një afat 15-ditor qeverisë për të përmbushur kërkesat e tyre, kohë pas së cilës paralajmëron se do të nisë grevat e bizneseve me mbyllje qepenash dhe protesta.