Ambasada e SHBA-së në Prishtinë tërhiqet nga monitorimi i përzgjedhjes së prokurorëve. Reagon Hoti

ambasada shba prishtine 1100x620

Ambasada amerikane në Kosovë është tërhequr nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve të rinj në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe për kryeprokurororët. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada thotë se tërheqja nga monitorimi është bërë për shkak se këto procese janë janë thyer rrënjësisht, u mungon transparenca dhe janë në konflikt interesi.

“Për vite me radhë, Ambasada Amerikane ka luajtur rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe për të zgjedhur kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë thyer në thelb. Atyre u mungon transparenca dhe janë subjekt i rritjes së konfliktit të interesit. Meqenëse përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të keqinterpretohet si një miratim i këtij sistemi të thyer, ne nuk do të marrim më pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike apo lidhjeve”.

Ambasada amerikane bën thirrje për ndryshime ligjore për të rikthyer transparencën dhe drejtësinë në këtë system.

“Duhen ndryshime në kuadrin ligjor që po kryejnë KPK për të rikthyer transparencën dhe drejtësinë në këtë sistem. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha partive që të mbështesin përpjekjet e Ministrit të Drejtësisë për të përfunduar menjëherë Revizionin Funksional”- thuhet në njoftim.

I menjëhërshëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti. Ai shpreh shqetësimin për tërheqjen e ambasadës së SHBA-së nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të KPK.

“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht.

Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës.

Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”- shkruan Hoti.