Asambleja e PS, Andoni: Rama po mat pulsin e njerëzve të tij

ben andoni 1100x620

Socialistët do të mbledhin sot Asamblenë Kombëtare, e shtyrë disa herë në kohë me argumentin e shmangies së grumbullimeve për shkak të pandemisë. Pikë kryesore, e rendit të ditës, është zgjedhja e organeve drejtuese të partisë dhe është me interes të kuptohen emrat që do të jenë pjesë e Kryesisë dhe Sekretariatit, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare.

I ftuar në A2, analisti, Ben Andoni, komentoi pritshmëritë nga kjo asamble e partisë në pushtet. Ai theksoi se kryeministri, Rama, po mat pulsin e njerëzve të tij. “Të paktën me rendin e ditës që kemi parë, ndryshimet do të jenë shumë të pakta. E gjithë pjesa e dytë do të jetë miratime procedurash. Në njëfarë mënyre, Rama po “taton” pulsin e njerëzve të tij në këto zgjedhje. Nuk besoj në ndryshime radikale, pasi këtë hap ai e ka nisur me këta njerëz. Mendoj se PS të vendosi realisht për njerëzit e terrenit, të cilët do të punojnë në disa rrethe problematik të vendit. Do të veçoja Durrësin, i cili është i prekur nga tërmeti, pandemia, por edhe problematikat e kohës”.

Për Ben Andonin, Ramës i duhet të forcojë kultin e vet në krye të PS. “Besoj se fjala e Ramës do të jetë thjesht për të mbajtur frymën e PS, e cila nuk është në lartësinë që ai mendon. Përveç kësaj është në goditje të vazhdueshme, pasi njerëzit shikojnë ekonominë. Mbi të gjitha, Ramës i duhet të forcojë kultin e vet në krye të PS. Sa i përket miratimeve do të bëhen pa shumë probleme, pasi e kemi parë se në PS nuk ka njerëz që mund të kundërshtojnë zotin Rama. PS është një makinë e madhe, strukturore, por që ka edhe të gjithë peshën e pushtetit të vendit. Si e tillë, kjo makinë e madhe i ka shumë të vështira ndryshimet”, tha Andoni.